HISTORIKU

Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP)

Në vitin 2005 është miratuar për herë të parë ligji nr. 9397, datë 12.05.2005 “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve”’, shpallur me dekretin nr.4602, datë 1.6.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ky ligj përcaktonte organizimin, funksionimin, detyrat dhe fushën e veprimtarisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve.

Në vitin 2020 janë propozuar disa ndryshime nëpërmjet projektligjit, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Shërbimit, që sipas projektligjit transformohej në Agjenci, forcimin e funksionit të saj në zbatim të parimeve të respektimit të lirive dhe të të drejtave themelore të individit, të transparencës, të kontrollit të brendshëm e të jashtëm civil, funksionimit të plotë të përqasjes proaktive, afrimit më pranë qytetarit dhe aktivizimit të kontrollit civil ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Policisë së Burgjeve dhe institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, përshtatjes së shërbimit me ndryshimet bashkëkohore të shërbimeve homologe, shtimit të veprimtarive dhe të kompetencave ligjore, instrumenteve, teknikave, formave e metodave ligjore për krijimin e produkteve kundër kriminalitetit, duke u dhënë një përqasje tjetër veprimtarisë, funksionimit e organizimit të saj. Risi në këtë projektligj ishte integrimi i Drejtorisë së Shërbimit të Provës dhe degëve territoriale të saj si institucione që do të mbikëqyren nga Agjencia.

Pas janë kaluar të gjitha fazat ligjore, në datën 11.04.2026 ka hyrë në fuqi Ligji nr.28/2026 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, i botuar në Fletoren Zyrtare nr.64, datë 27.03.2026.

Siç përcaktohet dhe në këtë ligj, emërtimi nga “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve” bëhet “Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”.

Bazuar në ligjin 28/2026, Agjencia ka mision të saj parandalimin, mbikëqyrjen, hetimin dhe garantimin e zbatimit të ligjit nga punonjësit e strukturave të sistemit të burgjeve, të burgosurit, punonjësit e strukturave të Shërbimit të Provës dhe personat nën mbikëqyrje nga Shërbimi i Provës, që cënojnë regjimin e strukturave, me qëllim mbrojtjen e interesave të ligjshëm të shtetit, strukturave dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut, nga veprimet ose mosveprimet e kundërligjshme të tyre.

Në ndryshim nga Ligji 9397 “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve”, Ligji 28/2026, përcakton tashmë që Agjencia, krahas subjekteve të mbikëqyrjes të sistemit të burgjeve që përfshin:

-punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve;

-punonjësit e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale;

-punonjësit e Policisë së Burgjeve;

-të burgosurit (paraburgosur ose të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë), që vendosen në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale.

ushtron mbikëqyrjen dhe në Strukturën e Shërbimit të Provës, konkretisht:

-punonjësit e Shërbimit të Provës;

-personat nën mbikëqyrje nga Shërbimi i Provës, ku përfshihen: personi i dënuar, ndaj të cilit gjykata, me vendim gjyqësor, ka vendosur një prej alternativave të dënimit me burgim, çdo person ndaj të cilit gjykata ka vendosur një urdhër mbrojtjeje ose një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, sipas legjislacionit në fuqi për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, vetëm kur gjykata ka vendosur që personi të jetë nën mbikëqyrje elektronike, çdo person ndaj të cilit është caktuar me vendim gjyqësor ndonjë masë tjetër shtrënguese, e parashikuar me ligje të veçanta, si dhe çdo i mitur ndaj të cilit organi kompetent i sistemit të drejtësisë penale për të mitur ka dhënë një masë alternative apo dënim jo me burgim.

Pas hyrjes në fuqi të Ligjit 28/2026, me Urdhër të Kryeministrit Nr. 97, datë 18.05.2026 “Për emërimin në detyrë” është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Z. Eduart Merkaj.