NJOFTIME

Sot në datën 25.06.2026, nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasve A. P.  me detyrë punonjës policie në IEVP Durrës dhe A. M. i burgosur në IEVP Durrës, për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve me Burgim” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 324/a dhe 283 të Kodit Penal.

Kjo pasi, në IEVP Durrës, nga kontrolli i ushtruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në bashkëpunim me DPB është konstatuar se punonjësi i policisë së burgjeve A. P., gjatë ushtrimit të detyrës brenda në IEVP, i ka dhënë të burgosurit A. M., një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë. 

AMSEVP është duke kryer të gjitha veprimet e tjera verifikuese dhe hetimore për këtë rast dhe raste të ngjashme brenda kësaj IEVP-je, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

AMSEVP inkurajon qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së detyrës nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 044 20 40 20, ose duke dërguar email në adresën info@shkbb.gov.al.